Në një largësi prej vetëm 15 kilometrash nga Vau i Dejës ndodhet Ishulli i Shurdhahut, i njohur historikisht si Sarda — një nga destinacionet më atraktive dhe më të pasura me histori në vendin tonë. Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot pamje nga ky atraksion natyror e kulturor për t'u uruar një ditë të mbarë qytetarëve:

"Mirëmëngjes dhe me këto pamje të Ishullit të Shurdhahut (Sarda) në lumin Drin, një destinacion spektakolar për t'u vizituar, ju uroj një të diel të mbarë," shkruan Rama.

Më parë një kodër me rrënoja mesjetare, kjo zonë u shndërrua në ishull pas ndërtimit të Hidrocentralit të Vaut të Dejës dhe krijimit të liqenit artificial. Sot, ishulli arrihet lehtësisht edhe nga fshati Rragam.

Me gjelbërimin e harlisur, ujin e kaltër dhe rrënojat e kishave apo të qytetit mesjetar, Sarda ofron një ndërthurje të jashtëzakonshme të natyrës me trashëgiminë historike. Dëshmitë e para të banimit këtu datojnë që nga shekujt VII–VIII, të konfirmuara nga nekropoli jashtë qytetit dhe mbetjet e një kalaje të periudhës romake.