Vetëm 13 kilometra larg qytetit të Shkodrës, Rragami është kthyer në një nga pikat turistike më të frekuentuara të zonës, duke tërhequr vizitorë nga vende të ndryshme të Europës.
Ky destinacion, i rrethuar nga një natyrë e jashtëzakonshme, ka njohur një zhvillim të madh gjatë tre viteve të fundit. Falë dëshirës së banorëve dhe sipërmarrësve vendas për të promovuar dhe zhvilluar zonën, Rragami sot tërheq mijëra turistë gjatë gjithë vitit.
Pavarësisht gjendjes së amortizuar të rrugës drejt Komanit, sipërmarrësit vendas kanë gjetur një alternativë të re për të afruar turistët me këtë destinacion. Udhëtimi me varkë nga Rragami drejt Komanit zgjat rreth 60 minuta dhe ofron pamje spektakolare gjatë gjithë lundrimit.
Turistët që kanë vizituar zonën shprehen të mahnitur nga natyra, mikpritja dhe bukuritë e Rragamit.
“Kam vizituar edhe vende të tjera në Shqipëri, por është hera e parë që vij në këtë zonë. Është shumë bukur këtu, gjithçka është e freskët dhe njerëzit janë shumë të mirë e miqësorë. Do të doja të vija këtu çdo ditë.”
“Është hera e parë që vij këtu. Kam ardhur me të dashurën dhe familjen time. Shqipëria ka ndryshuar shumë. Problemi më i madh është se nuk mund të paguajmë me kartë krediti, por njerëzit janë shumë miqësorë.”
“Unë jam nga Holanda dhe është hera e parë që vij këtu. Natyra është fantastike, sidomos për të ecur dhe për ta shijuar atë. Ky është destinacioni i dytë që vizitojmë, pasi ishim në Shkodër.”
“Vendi është i mrekullueshëm. Kemi dy ditë që jemi në Shqipëri, kemi vizituar Shëngjinin dhe tashmë po shijojmë këtë zonë. Patjetër që do t’ua rekomandoja të gjithëve. Njerëzit janë shumë miqësorë.”
Lundrimi me varkë është tashmë një tjetër shërbim që i shtohet ofertës turistike të Rragamit. Linja ujore krijon mundësi për të vizituar Komanin, por edhe destinacione të tjera të njohura të zonës, përfshirë lumin e Shalës.
Ideja për krijimin e kësaj linje transporti u nxit edhe nga vështirësitë e qarkullimit në rrugën drejt Komanit, duke ofruar një alternativë më të përshtatshme për turistët.
Pozitivisht këtë zhvillim e shohin edhe menaxherët e bizneseve në zonë, të cilët tashmë e kanë më të lehtë të lidhin aktivitetet e tyre me fluksin e turistëve dhe destinacionet përreth.
Përveç peizazheve natyrore, zona ofron mundësi për të eksploruar edhe ishujt përreth, disa prej të cilëve mbartin histori dhe gjurmë të një trashëgimie qindra-vjeçare.
Rragami po shndërrohet kështu në një pikë të rëndësishme turistike pranë Shkodrës, ku natyra, mikpritja dhe sipërmarrja lokale po krijojnë një ofertë të re për vizitorët vendas dhe të huaj.